Masoneria në Shqipëri fillon pas viteve 1990, me rënien e diktaturës dhe ndryshimet legjislative në vend.
Pas viteve 1990, një pjesë e intelektualëve filluan të interesoheshin për Masonerinë dhe misteret që ajo mbart, një “mollë e ndaluar” gjatë sistemit totalitar despotik të ashtuquajtur komunist.
Megjithatë, kontaktet e para me Masonerinë u bënë nëpërmjet librave, të cilët, jashtë realitetit, vetëm sa ngjallnin kureshtje dhe mistikë në mendjet e intelektualëve.
Vetëm pas viteve 2000 nisën kontaktet e drejtpërdrejta me Masonerinë, duke u njohur me të vërtetën dhe njëkohësisht duke lindur dëshira jo vetëm për t’u integruar brenda kësaj Familjeje të Madhe Vëllazërore botërore, por edhe për të sjellë në Shqipëri dritën e munguar ndër vite për breza të tërë, me qëllimin e vetëm për të ndriçuar rrugën e vërtetë për brezat e ardhshëm, nëpërmjet Dritës flakëruese të Arkitektit të Madh.
Qëllimi final i vëllezërve është kontributi për të ndërtuar një shoqëri demokratike, të bazuar në ndarjen dhe kontrollin reciprok të pushteteve; një shoqëri që lavdëron punën dhe mbështetet në vlerat dhe virtytet e njeriut, duke shkallmuar injorancën dhe luftuar veset si sëmundje kanceroze që çdo minutë dëmtojnë shoqërinë e brishtë shqiptare.
Kontaktet e para vëllezërit shqiptarë i kanë pasur në Itali, nëpërmjet Lozhës së Madhe Italiane, në vitin 2004, prej nga u themelua lozha e parë shqiptare, “Epidamnus,” në vitin 2013.
Sot, Masoneria Shqiptare, përfaqësuar nga Lozha e Madhe Shqiptare “Iliria,” zhvillon aktivitetin e saj në Durrës, Tiranë, Vlorë, Krujë dhe Kosovë. Ajo është anëtare me të drejta të plota në organizatën ndërkombëtare CLIPSAS, si dhe anëtare e Unionit Masonik Ballkanik (UMB) dhe Unionit Masonik Mesdhetar.
Më 5 maj 2019, në Romë, me ndihmën e pakursyer të vëllezërve italianë të “Supremo Consiglio del 33° e Ultimo Grado, Rito Scozzese Antico e Accettato Tradizionale d’Italia,” u themelua: Këshilli Suprem i Gradës së fundit – 33 – Riti Skocez Antik dhe i Pranuar i Lozhës së Madhe Shqiptare Iliria. Më në fund, mundi dhe përpjekjet e vëllezërve dhe motrave Shqiptare dhe Kosovare u shpërblyen me instalimin e Institucionit më të Lartë Masonik në Shqipëri – një garanci për një të ardhme të ndritur të vendit dhe shoqërisë sonë, në luftën e përditshme ndaj errësirës, primitivizmit dhe injorancës.
Vëllazëria shqiptare, me këtë akt të kryer, radhitet denjësisht përkrah vëllazërive anembanë botës, duke dhënë kontributin e saj për një shoqëri ku vlera dhe virtyti mbizotërojnë mbi vesin dhe errësirën; ku ngrohtësia shpirtërore udhëheq veprimtarinë njerëzore mbi materien; ku drita ndriçon mbi errësirën.
Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për Mjeshtrin e Madh Luigi Pruneti dhe për të gjithë vëllezërit që ndihmuan në instalimin e dritës së vërtetë në Shqipëri pas një errësire shekullore.
Lavdi Arkitektit të Madh të Universit!