Parimet e Përgjithshme të Masonerisë së Lirë

Urdhri i Masonëve të Lirë i përket klasës së urdhrave Kalorësiak dhe ka për qëllim përsosjen e burrave dhe grave më të mirë të vendit dhe të njerëzimit.
Masonët e Lirë janë të organizuar në përbërje të çdo shteti, por gjithashtu janë anëtarë të një familjeje të madhe, të lidhur ndërmjet tyre nëpërmjet një mendimi unik, një betimi të shenjtë dhe të ndihmës pa kufi për njëri-tjetrin, pavarësisht kombësisë, vendbanimit apo kulturës së ndryshme që mund të kenë.
Masoneria Universale ka themelin e saj thelbësor në besimin në një fuqi supreme, që nderohet me emrin Arkitekti i Madh i Universit.
Parimet e saj janë përmbledhur në këto dy parime kryesore:
- Të njohin vetveten
- Të duan vëllain e tyre si veten
Masoneria e Lirë është një shoqatë e lirë e njerëzve të pavarur që udhëhiqen nga liria e ndërgjegjes së tyre dhe angazhohen për të përhapur idenë e paqes, dashurisë, dhe vëllazërisë. Ajo ka për qëllim përsosjen morale të njerëzimit dhe nxitjen e një filantropie të vërtetë, duke përdorur simbole dhe forma simbolike.
Ajo kërkon nga anëtarët e saj të respektojnë mendimet e të tjerëve dhe ndalon diskutimet fetare apo politike, për të krijuar një atmosferë vëllazërore ku mbretëron një harmoni e përsosur e mendimit të lirë filozofik.
Masonët e lirë takohen në vende të veçanta, të quajtura Lozha, për të ushtruar ritet e tyre me zell dhe kujdes, duke përmirësuar gjithmonë karakterin e secilit prej tyre, duke lartësuar moralin dhe virtytin, dhe duke luftuar pa kompromis vesin. Ata ndriçojnë dhe forcojnë vlerat shpirtërore përballë vlerave materiale, duke marrë dhe transmetuar Dritë dhe energji pozitive për njëri-tjetrin, me qëllim që secili të ndikojë kudo ku punon dhe jeton për idetë dhe qëllimet e larta të një shpirti të lirë në jetën e përditshme.
Masonët e lirë mësojnë të duan atdheun dhe njerëzimin, të respektojnë dhe të kontribuojnë në hartimin e ligjeve, dhe të duan dhe respektojnë punën si fenomenin kryesor të ekzistencës së shoqërisë njerëzore.
Masonët e lirë e konsiderojnë punën në të gjitha aspektet e saj, qoftë fizike apo intelektuale, si promotori dhe elementi më i rëndësishëm për ekzistencën dhe prosperitetin e një kombi dhe të vetë njerëzimit. Njeriu u lind dhe u përsos përmes punës, u zhvillua intelektualisht nëpërmjet kërkesave për një punë më racionale dhe më produktive, dhe vetë puna është elementi bazë i vetë-ekzistencës së tij.
Masoneria e Lirë është një organizatë e hapur, ku mund të marrin pjesë, pa dallim gjinie, moshe apo ngjyre, të gjithë ata që respektojnë rregullat e saj të brendshme.
Masoneria e Lirë e konsideron rrezikun kryesor të një shoqërie injorancën, primitivizmin dhe brutalitetin, si faktorë kryesorë që luftojnë kundër lirisë dhe fjalës së lirë të individit. Ajo konsideron si të panegociueshme të drejtat dhe liritë themelore të individit, të cilat i përmbledh në parimet LIRI, BARAZI, VËLLAZËRI.
Parimet e Masonëve të Lirë
I. Studimi Për ne Masonët e Lirë, studimi nënkupton edukimin për të jetuar me ndershmëri.
II. Vlerat Për ne Masonët e Lirë, vlerat janë njohja dhe respektimi i ligjeve morale universale.
III. Tradita Për ne Masonët e Lirë, tradita është një trashëgimi e shenjtë nga të parët tanë ilirë, që i përuleshin Diellit; ajo buron nga historia mijëravjeçare e popullit tonë, që mbijetoi me besim dhe sakrifica, nga heroi legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu – përfaqësuesi më i denjë i vlerave kalorësiake dhe i besimit të patundur në Zot, mbrojtës i lirisë dhe Dritës përkundër errësirës dhe skllavërisë. Tradita është vetë ajo që ne sot trashëgojmë nga të parët tanë.